Secondary Adv

Shqipëria, me intensitet turistik shumë më të ulët se BE, Mali i Zi e Kroacia

Në vitin 2025, Shqipëria kryesoi Europën për rritjen e net qëndrimeve në akomodimet turistike, me 27%, nga 1.7% mesatarja e BE-së, ndërkohë që në Mal të Zi, konkurrenti kryesor i Shqipërisë, treguesi ra me 0.5%.

Vendi i dytë me rritjen më të lartë ishte Malta (+10.5%), sipas të dhënave të publikuara sot nga Eurostat.


Megjithatë, Shqipëria vijon të ketë një intensitet turistik më të ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, megjithëse numri i netqëndrimeve në strukturat akomoduese është rritur ndjeshëm.


Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, intensiteti i turizmit në Shqipëri llogaritet në rreth 4,1 netqëndrime për banor, kundrejt 7 netqëndrimeve në Bashkimin Europian. Në rajon, Mali i Zi ka një intensitet rreth dy herë më të lartë se Shqipëria, ndërsa Kroacia kryeson Europën me 24,5 netqëndrime për banor.


Intensiteti i turizmit është një tregues që mat numrin e netëve të kaluara nga turistët në strukturat akomoduese në raport me popullsinë rezidente të një vendi. Ai nuk tregon thjesht sa turistë vizitojnë një destinacion, por edhe sa gjatë qëndrojnë ata, duke dhënë një panoramë më të plotë të aktivitetit turistik të regjistruar.


Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria regjistroi rreth 9,7 milionë netqëndrime në strukturat akomoduese gjatë vitit 2025. Duke e krahasuar këtë tregues me popullsinë prej rreth 2,36 milionë banorësh në fillim të vitit, rezultojnë afërsisht 4,1 netqëndrime për banor.


Pavarësisht zgjerimit të aktivitetit turistik, Shqipëria mbetet larg vendeve mesdhetare ku turizmi ka një peshë shumë më të madhe në raport me popullsinë.


Diferenca pasqyron jo vetëm nivelin e zhvillimit të industrisë turistike, por edhe kohëzgjatjen e qëndrimeve, kapacitetet akomoduese dhe mënyrën se si regjistrohet ky aktivitet, nivelin e informalitetit, apo dhe faktin që një pjesë e madhe e atyre që hyjnë janë emigrantë me pasaporta kryesisht italiane e greke.


Një pjesë e vizitorëve që hyjnë në Shqipëri qëndrojnë për periudha të shkurtra, ndërsa të tjerë akomodohen te të afërmit, në banesa private ose në struktura që nuk mbulohen plotësisht nga statistikat e akomodimit, teksa shumë prej atyre që hynë mund të jenë emigrantë me pasaporta të huaja.


Nga ana tjetër edhe tregu i qiradhënies ditore të apartamenteve është kryesisht informal. Për këtë arsye, rritja e numrit të shtetasve të huaj që hyjnë në vend nuk përkthehet domosdoshmërisht në të njëjtën rritje të netqëndrimeve të regjistruara.


Edhe sezonaliteti mbetet një karakteristikë e rëndësishme e turizmit shqiptar. Aktiviteti është i përqendruar kryesisht gjatë muajve të verës, veçanërisht në korrik dhe gusht. Sipas serisë mujore të Eurostat, gjatë gushtit 2025 u regjistruan rreth 2,26 milionë netqëndrime, ndërsa në shkurt vetëm rreth 226 mijë.


Ndërkohë, Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë një intensitet më të ulët se Shqipëria, me më pak se 2 netqëndrime për banor. Në këto vende, turizmi ka një strukturë të ndryshme, me një rol më të madh të udhëtimeve urbane, të biznesit dhe të destinacioneve malore e kulturore, krahasuar me turizmin masiv bregdetar.


Konkurrenti kryesor i Shqipërisë mbetet Mali i Zi. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, në strukturat akomoduese malazeze rezultojnë rreth 8,3 netqëndrime për banor, duke e vendosur vendin mbi mesataren e Bashkimit Europian.


Mali i Zi ka një popullsi relativisht të vogël dhe një industri turistike të zhvilluar kryesisht përgjatë bregdetit të Adriatikut. Kjo bën që edhe një numër më i kufizuar netqëndrimesh në terma absolutë të përkthehet në një intensitet të lartë në raport me popullsinë.


Kroacia, Malta dhe Qipro kryesojnë Europën


Në vitin 2025, Bashkimi Europian regjistroi mesatarisht 7 netqëndrime turistike për banor. Nivelet më të larta u shënuan në Kroaci, me 24,5 netqëndrime, Maltë, me 21,7, dhe Qipro, me 19,4. Rekordin në Europë e mban Islanda, me 26 net qëndrime.


Këto janë vende ku turizmi ndërkombëtar ka një peshë të konsiderueshme në raport me popullsinë vendase. Përmasat relativisht të vogla të popullsisë, të kombinuara me flukse të larta vizitorësh dhe qëndrime më të gjata, ndikojnë në rritjen e treguesit.


Në anën tjetër, ekonomitë më të mëdha europiane mund të regjistrojnë shumë më tepër netqëndrime në terma absolutë, pa pasur domosdoshmërisht intensitetin më të lartë. Kjo ndodh sepse numri i netqëndrimeve pjesëtohet me një popullsi shumë më të madhe, shpjegon Eurostat.


Për shembull, Italia ishte vendi me numrin më të lartë të netqëndrimeve në Bashkimin Europian gjatë vitit 2025, me 535 milionë, e ndjekur nga Spanja, me 513 milionë, Franca, me 472 milionë dhe Gjermania, me 440 milionë. Këto katër vende përqendruan së bashku mbi 60% të aktivitetit turistik të regjistruar në strukturat akomoduese të BE-së.


Në total, netqëndrimet në Bashkimin Europian arritën në 3,14 miliardë gjatë vitit 2025, një rekord i ri dhe një rritje prej 4,1% krahasuar me vitin e mëparshëm. Kjo përfaqëson rreth 123 milionë netqëndrime shtesë brenda një viti, ose mesatarisht mbi 336 mijë net më shumë çdo ditë.


Rritja u mbështet veçanërisht nga kërkesa ndërkombëtare. Netqëndrimet e turistëve të huaj u rritën me 6%, ndërsa ato të turistëve vendas me 2,3%. Si rezultat, turistët ndërkombëtarë realizuan 48,9% të të gjitha netqëndrimeve në BE, kundrejt 51,1% të rezidentëve që udhëtuan brenda vendeve të tyre.


Sa i përket formës së akomodimit, hotelet dhe strukturat e ngjashme përqendruan 61,4% të netqëndrimeve, apartamentet turistike dhe akomodimet e tjera afatshkurtra 24,8%, ndërsa kampingjet 13,8%. Rritja më e shpejtë u shënua në akomodimet afatshkurtra, me 9,2%, duke reflektuar zgjerimin e kësaj forme të ofertës turistike.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat